Perfundon Konferenca e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, “Sistemi i pensioneve vullnetare në Shqipëri – zgjerimi i mbulimit”

21.4.2017

Konferenca e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, “Sistemi i pensioneve vullnetare në Shqipëri – zgjerimi i mbulimit” përfundoi sot. Në të u diskutua nga ekspertët, mbikëqyrësit, punëdhënësit dhe sektori i pensioneve private, për nevojën e zhvillimit të mëtejshëm të pensioneve vullnetare private në Shqipëri. Konferenca u organizua me mbështetjen e Bankës Botërore, në kuadër të zbatimit të projektit “Mbikëqyrja dhe mbulimi i pensioneve”, me fonde të Iniciativës FIRST. Ndër folësit kryesorë ishin Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, zoti Blendi Klosi, Menaxherja e Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri, zonja Tahseen Sayed, dhe Zëvendësministrja e Financave, zonja Irena Beqiraj.

Në fjalën e saj, zonja Enkeleda Shehi, Drejtore Ekzekutive e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), theksoi rëndësinë e përfundimit të ndryshimeve fiskale në mënyrë që të nxitet kursimi për pensione private. Ajo theksoi rezultatet e anketimit të realizuar në bashkëpunim me INSTAT, i cili identifikoi disa sfida me rëndësi kritike—në veçanti nevojën për të dhënë informacion të thjeshtë, i cili t’i ndihmojë punonjësit dhe punëdhënësit ta kuptojnë përse janë të rëndësishme pensionet vullnetare dhe cilat janë përfitimet reale.

Në fjalën e saj, zonja Tahseen Sayed, Menaxhere e Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri, theksoi se Qeveria e Shqipërisë po zbaton reforma të rëndësishme për pensionet publike. Qeveria po kërkon t’i përmirësojë më tej pensionet me këtë përpjekje të re për zgjerimin e mbulimit të pensioneve private. “Shqipëria ka nevojë të hedhë tani themelet e një sistemi të diversifikuar pensionesh ku rëndësi kritike kanë si pensionet publike ashtu edhe ato private, për të kontribuar në sigurinë financiare për burrat dhe gratë pas daljes në pension,” – tha ajo.

Duke folur në konferencë Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, zoti Blendi Klosi vlerësoi reformën në sistemin e pensioneve shtetërore dhe nxiti gjithëpërfshirjen edhe në skemat vullnetare të pensioneve. Ministri Klosi e vuri theksin tek të rinjtë dhe përfshirja e tyre gjithnjë e më e madhe në skemat e pensioneve.

Shoqëritë tregtare shqiptare që u kanë ofruar punonjësve të tyre pjesëmarrje në skema të pensioneve private vullnetare prezantuan përvojën e tyre dhe procesin e komunikimit që kanë ndërmarrë për të shpjeguar përfitimet që sjellin këto skema. Gjithashtu, tri shoqëritë e administrimit të fondeve të pensioneve që ushtrojnë aktivitet në Shqipëri prezantuan perspektivën e tyre në lidhje me zhvillimin e tregut, avantazhet e fondeve të pensioneve dhe mundësitë për zgjerim. Disa prej ekspertëve rajonalë që merrnin pjesë në konferencë ofruan krahasime me vende dhe përvoja të tjera të mira.

Ekspertët e huaj folën në konferencë për praktikat më të mira në botë. Ata ndanë me pjesëmarrësit edhe përvoja dhe ide se si të zgjerohet më tej tregu i pensioneve vullnetare private dhe si të rritet roli i autoritetit rregullator të këtij tregu në Shqipëri.

Në fjalën e saj mbyllëse, zonja Shehi theksoi se kjo konferencë është fillimi i një procesi të vazhdueshëm për të cilin AMF është e angazhuar ta vijojë si një forum ku të diskutohet për pikëpamjet se si të realizohet një sistem i fuqishëm pensionesh në Shqipëri.