Raiffeisen MIKS NJOFTIM

1.9.2021

Njoftim për shtyp

“Raiffeisen Miks” fondi më i ri i investimit në Euro nga Raiffeisen Invest

  • Raiffeisen Invest ofron tashmë katër fonde Investimi
  • Raiffeisen Prestigj dhe Vizion, fonde investimi në Lekë
  • Raiffeisen Miks dhe Raiffeisen Euro, fonde investimi në Euro

Pas suksesit të tre fondeve të mëparshme, dy prej të cilave në Lekë dhe një në Euro, Raiffeisen “Miks” është fondi më i ri i investimit në Euro i ofruar nga Raiffeisen Invest për investitorin shqiptar.

Fondi Raiffeisen Miks është i pari me një natyrë të balancuar të portofolit të investimit, i cili do të përfshijë 3 kategori asetesh: tituj borxhi (obligacione), aksione dhe instrumente të tregut të parasë.

Qëllimi i investimit të Fondit është krijimi i të ardhurave të rregullta dhe një rritje e moderuar e kapitalit në një periudhë afatmesme. Fondi është dizenjuar për atë kategori investitorësh, të cilët kanë nevoja të ulëta likuiditeti dhe një horizont investimi të paktën 5 vjeçar, si dhe janë të gatshëm të marrin përsipër risqet e listuara në prospektin e fondit kundrejt potencialit të një kthimi të kënaqshëm nga investimi.

Të gjithë investitorët e interesuar për një portofol të diversifikuar, mund të drejtohen pranë degëve të Raiffeisen Bank për të investuar në fondin e ri, duke filluar nga data 16 Nëntor. Shuma minimale e investimit fillestar në Fond është 500 Euro dhe nuk aplikohet tarifë në hyrje apo dalje nga fondi.

“Krijimi i fondit Raiffeisen Miks është provë e angazhimit të padiskutueshëm të Raiffeisen Invest në tregun financiar jo-bankar shqiptar dhe besimit që ne kemi në përmirësimin dhe zhvillimin e këtij tregu. Për herë të parë Raiffeisen Invest po i prezanton publikut shqiptar një fond i cili krijon mundësinë e diversifikimit të aseteve midis obligacioneve dhe aksioneve me një nivel të moderuar/mesatar të riskut. Me fondin Raiffeisen Miks synohet që investitorët të marrin më të mirën e kombinimit të këtyre dy tregjeve përgjatë gjithë ciklit ekonomik. Ne u rekomandojmë investitorëve një horizont të gjatë investimi për të përfituar maksimalisht nga politika e investimit afatgjate që ndjekin menaxherët e portofolit si dhe për të minimizuar ndikimet nga luhatjet afatshkurtra të tregjeve në momente të caktuara. Kështu, ne zgjerojmë gamën e produkteve të investimit Raiffeisen si dhe tregut në tërësi dhe jemi në linjë me misionin tonë për t’u ofruar klientëve një diapazon më të gjerë alternativash investimi si dhe një shërbim të shkëlqyer” tha Edlira Konini, Administratore e Përgjithshme e Raiffeisen Invest.

* * * * *

Fondi Raiffeisen Miks u licensua nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare me vendimin nr. 153, datë 23 Tetor 2020. Ky është një sipërmarrje investimesh kolektive me ofertë publike, e veçantë dhe me pjesëmarrje të hapur, i krijuar nga Raiffeisen Invest. Ky fond është me kohëzgjatje të papërcaktuar. Fond i hapur publik, i cili do të ofrohet/shpërndahet nëpërmjet rrjetit të degëve të Raiffeisen Bank duke filluar nga data 16 Nentor 2020.

Raiffeisen Bank sh.a zotëron 100% të aksioneve të Raiffeisen INVEST sh.a, e cila do të vazhdojë të menaxhojë Fondin e Pensionit Vullnetar Raiffeisen, krahas Fondi Raiffeisen Vizion, Fondit Raiffeisen Prestigj dhe Fondit Raiffeisen Invest Euro.

Rreth Raiffeisen Invest

Raiffeisen Invest sh.a (RIAL) eshte shoqëri e licensuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) për Administrimin e Fondeve të Investimit dhe Fondeve të Pensionit Vullnetar.

Raiffeisen Invest sh.a është shoqëria që hodhi bazat e tregut të fondeve të investimit në Shqipëri dhe sot është udhëheqëse në këtë treg me më shumë se 518 milion euro asete nën administrim. Pas suksesit të Fondit Prestigj, Vizion dhe fondit Raiffeisen Invest Euro, Raiffeisen Invest i ofron investitorit shqiptar edhe një mundësi tjetër investimi në euro, me qëllim diversifikimin e portofolit financiar nëpërmjet investimeve në kategori të ndryshme asetesh.