Skip to main content

CRS & FATCA

Standardi i Përbashkët i Raportimit (SPR) dhe FATCA në Raiffeisen Invest Shqipëri

Çfarë është Standardi i Përbashkët i Raportimit (CRS)?

Në vitin 2014, Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) publikoi një standard ndërkombëtar për shkëmbimin automatik të informacionit mbi llogaritë financiare. I ashtuquajturi Standardi i Përbashkët i Raportimit (CRS) përbën një kërkesë rregullatore raportimi për institucionet financiare në juridiksionet pjesëmarrëse (aktualisht më shumë se 100 juridiksione) dhe synon të parandalojë evazionin fiskal. Në dhjetor 2014, CRS u implementua në Direktivën e Bashkimit Evropian për Ndihmën Administrative në lidhje me çështjet tatimore. Si rrjedhojë, shtetet anëtare të BE-së u detyruan të implementonin këto dispozita në legjislacionin kombëtar. Në Shqipëri, standardi filloi të zbatohej me miratimin e Ligjit nr. 4, datë 31.01.2020.

Identifikimi i klientit, dokumentacioni dhe detyrimi i raportimit të institucioneve financiare

Sipas dispozitave të Ligjit nr. 4, datë 31.01.2020, institucionet financiare në Shqipëri janë të detyruara të përcaktojnë masat e nevojshme për të identifikuar vendin ku klientët e tyre paguajnë taksat (këtu përfshihen individë, subjekte dhe, në rrethana të caktuara, persona kontrollues), si dhe numrin identifikues tatimor të juridiksionit përkatës të rezidencës tatimore. Institucioneve financiare u kërkohet, më tej, të raportojnë llogaritë financiare të mbajtura nga klientët të cilët, për qëllime tatimore, janë rezidentë në një juridiksion pjesëmarrës, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, e cila mund të shkëmbejë informacionin me autoritetet tatimore të një ose më shumë vendeve ku klienti (ose, në disa raste, personat kontrollues) mund të jenë rezidentë tatimorë.

Të dhëna të raportueshme sipas ligjit shqiptar për CRS-në

Raportimi i llogarive financiare përfshin të dhëna të caktuara për mbajtësin e llogarisë (në raste të caktuara edhe për personin kontrollues), si dhe të dhëna për llogarinë. Sipas dispozitave të ligjit, informacioni i mëposhtëm duhet t’i raportohet organit tatimor:

Për individët:

  • Emri
  • Adresa
  • Juridiksioni(et) i vendbanimit
  • Numri(at) i identifikimit tatimor
  • Data dhe vendi i lindjes
  • Numri(at) e llogarisë për llogaritë e kursimit, thesarit, rrjedhëse dhe të kujdestarisë
  • Gjendja ose vlera e llogarisë në fund të vitit kalendarik ose në momentin e mbylljes së llogarisë
  • Shuma totale bruto e të ardhurave, dividendëve ose të ardhurave të tjera të krijuara në lidhje me aktivet e mbajtura në llogari, si dhe të ardhurat totale bruto nga shitja ose riblerja e aktiveve financiare, të paguara ose të kredituara në llogari gjatë vitit kalendarik ose periudhave të tjera të raportimit

Në rastin e njësive (entiteteve) për personin(at) kontrollues të entitetit, të identifikuar në përputhje me dispozitat e Ligjit nr. 9917, datë 19.05.2008, të ndryshuar, “Për Parandalimin e Pastrimit të Parave”, raportohen:

  • Emri
  • Adresa
  • Juridiksioni(et) i vendbanimit
  • Numri(at) e identifikimit tatimor
  • Data dhe vendi i lindjes

 

Llogaritë e përjashtuara nuk raportohen

Në këtë drejtim, ligjvënësi ka përcaktuar përjashtime të caktuara për llogari të cilat nuk konsiderohen llogari financiare të raportueshme.

Klientët që nuk raportohen

Ekziston një përjashtim për kategori të caktuara klientësh që nuk përcaktohen si “persona raportues”. Këto përfshijnë:

  • Institucionet financiare
  • Entitetet qeveritare
  • Organizatat ndërkombëtare
  • Bankat qendrore
  • Korporatat, aksionet e të cilave tregtohen rregullisht në një ose më shumë tregje të rregulluara të letrave me vlerë (ose entitete të lidhura me to)

 

Shqipëria është angazhuar të jetë pjesë e Shkëmbimit Automatik të Informacionit sipas standardit të OECD-së (AEOI) dhe të zbatojë CRS-në në juridiksionin vendas.

Duke filluar nga data 11.03.2020, të gjitha institucionet financiare të vendosura në Shqipëri janë të detyruara të zbatojnë procedurat dhe masat për të përmbushur detyrimet sipas Ligjit nr. 4, datë 31.01.2020. Rrjedhimisht, të gjithë klientëve që dëshirojnë të hapin një llogari të re do t’u kërkohet të dorëzojnë një Vetëdeklarim të vlefshëm për të vërtetuar rezidencën e tyre tatimore dhe numrin(at) e identifikimit tatimor. Në rrethana të caktuara, edhe klientëve me llogari paraekzistuese, të cilët nuk hapin një llogari të re, mund t’u kërkohet të dorëzojnë një Vetëdeklarim të vlefshëm për të përcaktuar qartë rezidencën(at) e tyre tatimore dhe numrin(at) e identifikimit tatimor. Në përgjithësi, informacioni që klienti duhet të japë në lidhje me TIN-in lidhet me detyrimet tatimore mbi të ardhurat në vendin e rezidencës tatimore.

Vetëdeklarimet e detyrueshme për të gjitha llogaritë/klientët e rinj

Duhet të theksohet se detyrimi për të siguruar një Vetëdeklarim të vlefshëm zbatohet për të gjithë klientët, pavarësisht nga rezidenca e tyre tatimore, përfshirë edhe klientët që janë ekskluzivisht rezidentë tatimorë në Shqipëri. Nëse klientët nuk janë të sigurt për rezidencën e tyre tatimore, ata duhet të këshillohen me këshilltarin e tyre tatimor për të sqaruar rezidencën(at) e tyre për qëllime tatimore. Është e rëndësishme të theksohet se Raiffeisen Invest nuk lejohet të japë këshilla tatimore ose juridike.
Informacione të mëtejshme në lidhje me Standardin e Përbashkët të Raportimit të OECD-së mund të gjenden në Automatic Exchange Portal of the OECD. Formulari i vetëdeklarimit mund të shkarkohet nga lidhjet më poshtë. Pas plotësimit, ju lutemi ta firmosni dhe ta dërgoni me postë ose të skanuar me e-mail te punonjësi i bankës që ju ka ndjekur (Agjenti i Autorizuar) ose në adresën elektronike.

CRS – Formularë

  • Vetëdeklarimi për Individë Privatë
  • Vetëdeklarimi për Entitetet

Dokumente dhe lidhje të tjera

  • Mbrojtja e të dhënave personale
  • OECD Standard for the Automatic Exchange of Financial Account Information
  • Procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë

Çfarë është FATCA?

  • FATCA (Foreign Account Tax Compliance Act) ose Ligji për Përputhshmërinë Tatimore të Llogarive të Huaja, është pjesë e legjislacionit amerikan, i miratuar më 18 mars 2010 dhe në fuqi që nga 1 korriku 2014.
  • FATCA është një kërkesë rregullatore që u imponon institucioneve të huaja financiare të identifikojnë dhe raportojnë klientët e tyre amerikanë.
  • Raiffeisen Invest sh.a., si shoqëri bijë e Raiffeisen Bank Albania dhe pjesë e rrjetit të Raiffeisen Bank International, njeh rëndësinë e FATCA-s dhe vepron në përputhje me kërkesat e saj.
  • Përmbushja e kërkesave për identifikimin dhe raportimin e klientëve bazohet në dhënien e pëlqimit nga ana e tyre.
  • Raiffeisen Invest sh.a. është regjistruar në faqen e IRS-së së SHBA-së me statusin FATCA “Participating Financial Institution”, i pambuluar nga një IGA, dhe ka marrë numrin GIIN: 28CWN4.00019.ME.008 (Global Intermediary Identification Number).

Për pyetje të mëtejshme, ju lutemi të kontaktoni një specialist të FATCA-s.

FATCA – Formularë

  • W-9
  • W-8BEN
  • W-8BEN-E
  • W-8IMY
  • Consent to Report