Skip to main content

Njoftim mbi përditësimin e prospektit të fondit Raiffeisen Solid

I nderuar investitor,

Shoqëria Administruese Raiffeisen Invest ju informon se, në përputhje me ndryshimet e fundit rregullatore në Bashkimin Evropian për fondet UCITS, fondi Raiffeisen–Nachhaltigkeit–Solide, i cili është Fondi Kryesor i fondit Furnizues Raiffeisen Solid, ka përditësuar rregullat dhe prospektin e tij.

Ndryshimet përfshijnë parashikimin e instrumenteve shtesë të menaxhimit të likuiditetit (Liquidity Management Tools), me qëllim mbrojtjen e interesave të investitorëve dhe administrimin efektiv të likuiditetit të fondit.

Në veçanti, parashikohen dy instrumente:

  • kufizimi i përkohshëm i shlyerjes së kuotave
  • zgjatja e afatit të shlyerjes.

Këto instrumente mund të përdoren vetëm në kushtet e parashikuara në prospekt, duke marrë në konsideratë kushtet e tregut dhe flukset e pritshme të pagesave me qëllim mbrojtjen e interesave të investitorëve. Përditësimi i prospektit nuk nënkupton aktivizimin e këtyre instrumenteve.

Fondi Furnizues Raiffeisen Solid investon të paktën 85% të aseteve në kuota të Fondit Kryesor dhe si i tillë, duhet të reflektojë në prospektin e tij të njëjtat ndryshime si Fondi Kryesor. Për rrjedhojë, aplikimi i këtyre instrumenteve mund të reflektohet edhe në Fondin Furnizues, në përputhje me masat e ndërmarra nga Fondi Kryesor.

Këto ndryshime nuk ndikojnë në strategjinë e investimit dhe as në profilin e rrezikut të fondit. 

Prospekti i përditësuar i fondit, i miratuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, do të jetë i disponueshëm pranë çdo dege të Raiffeisen Bank dhe në faqen zyrtare të shoqërisë www.raiffeisen-invest.al.

Në kuadër të transparencës dhe në përputhje me kërkesat rregullatore, ju informojmë gjithashtu se, lidhur me këto ndryshime, sipas parashikimeve ligjore, për një periudhë prej 60 ditësh pune nga data e ketij njoftimi, shlyerja e kuotave mund të kryhet pa aplikimin e komisionit të daljes.

Ju falënderojmë për besimin që na keni dhënë duke zgjedhur Raiffeisen Invest për administrimin e investimeve tuaja. 

Për çdo pyetje apo sqarim lidhur me këtë njoftim, mund të na kontaktoni drejtpërdrejt në numrin 069 40 40 481, ku stafi ynë do të jetë në dispozicionin tuaj.

Me respekt,
Raiffeisen Invest

Lajme të tjera